Dosja Veliaj, caktohet data e seancës së parë

GJKKO pranoi kërkesën e 11 të pandehurve për t’u gjykuar me procedurë të shkurtuar, duke ndarë kështu dosjen në dy pjesë.

07.05.2026. 17:14

Dosja Veliaj, caktohet data e seancës së parë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar më 26 maj, në orën 10:00, zhvillimin e seancës së parë gjyqësore për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje.

Procesi do të shqyrtohet nga një trupë e re gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri në cilësinë e kryesueses, si dhe gjyqtarët Flora Hajredini dhe Besmir Stroka.

Vendimi për nisjen e gjykimit vjen pasi në seancën paraprake të 27 prillit, GJKKO pranoi kërkesën e 11 të pandehurve për t’u gjykuar me procedurë të shkurtuar, duke ndarë kështu dosjen në dy pjesë. Mes personave që kërkuan gjykim të shkurtuar janë biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.

Ndërkohë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, do të përballen me gjykim të zakonshëm. Mbrojtja e Veliajt pritet të rikthejë për shqyrtim disa kërkesa që janë rrëzuar më herët nga gjykata, përfshirë ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, lejimin e transmetimit live të seancave dhe administrimin e plotë të provave të dosjes.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se në dosje ndodhen 35 fashikuj me materiale digjitale, të ruajtura në CD dhe USB, të cilat sipas tij nuk janë marrë në shqyrtim në mënyrë të plotë gjatë fazës paraprake të procesit.

Çështja “Veliaj” konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme që po ndiqet aktualisht nga Gjykata e Posaçme dhe pritet të tërheqë vëmendje të lartë publike dhe politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)