I zhdukur prej disa ditësh, gjendet pajetë 30 vjeçari në Osum

Trupi i pajetë i të riut u gjet mesditën e sotme pranë fshatit Remanicë. Më pas ai u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit.

07.05.2026. 16:11

I zhdukur prej disa ditësh, gjendet pajetë 30 vjeçari në Osum

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Berat, ku është gjetur i pajetë në lumin Osum një 30-vjeçar që ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh.

Viktima është identifikuar si Davidi Shehaj, banues në lagjen “Çlirim”. Sipas informacioneve paraprake, i riu ishte larguar nga banesa më 30 prill dhe prej asaj dite familjarët nuk kishin më kontakte me të. Ka qenë babai i tij ai që ka bërë kallëzimin në polici për zhdukjen.

Pas denoncimit, policia nisi kërkimet, ndërsa disa banorë të zonës deklaruan se kishin parë 30-vjeçarin duke u hedhur në lumin Osum. Për këtë arsye, operacioni i kërkimit u përqendrua përgjatë rrjedhës së lumit.

Në kërkime u angazhuan forcat e Policisë së Beratit, si edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga reparti ushtarak i Poshnjes.

Trupi i pajetë i të riut u gjet mesditën e sotme pranë fshatit Remanicë. Më pas ai u transportua në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 30-vjeçari kishte precedentë penalë për vjedhje dhe rezultonte përdorues i lëndëve narkotike. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)