SHBA dhe Irani duket se po afrohen drejt një marrëveshjeje të përkohshme për ndalimin e konfliktit, ndërsa negociatat mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të rëndësishme.
Sipas burimeve diplomatike dhe zyrtarëve që folën për Reuters, palët po punojnë mbi një memorandum afatshkurtër mirëkuptimi që synon uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për negociata më të gjera në javët e ardhshme.
Burimet bëjnë me dije se marrëveshja nuk do të jetë një traktat i plotë paqeje, por një dokument i përkohshëm për ndalimin e përplasjeve dhe stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme. Drafti që po diskutohet parashikon 3 pika kryesore, fillimisht shpalljen zyrtare të përfundimit të konfliktit, më pas zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme për transportin botëror të naftës, si dhe nisjen e një periudhe 30-ditore negociatash intensive për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Një zyrtar i lartë pakistanez, i përfshirë në kontaktet diplomatike, ka deklaruar se prioriteti kryesor në këtë moment është ndalimi i luftës dhe shmangia e një përshkallëzimi të mëtejshëm në rajon, ndërsa çështjet më të ndërlikuara pritet të diskutohen në fazën tjetër të negociatave.
Megjithatë, edhe pse ka sinjale pozitive, palët vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të forta për temat kryesore. SHBA kërkon pezullimin e plotë të programit bërthamor iranian, kontroll mbi rezervat e uraniumit të pasuruar dhe garanci për lundrim të lirë në Ngushticën e Hormuzit. Nga ana tjetër, Irani nuk ka dhënë ende sinjale të qarta se do të pranojë këto kushte. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, Teherani zotëron mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar, çështje që mbetet një nga shqetësimet më të mëdha për administratën amerikane.
Në draftin aktual nuk përfshihen disa nga kërkesat tradicionale të SHBA-së ndaj Iranit, si kufizimi i programit raketor apo ndërprerja e mbështetjes për grupet e armatosura pro-iraniane në Lindjen e Mesme. Kjo tregon se marrëveshja aktuale shihet më shumë si një hap emergjent për të ulur tensionet sesa si një zgjidhje përfundimtare.
Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur optimist për ecurinë e negociatave. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, ai deklaroi se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe se ekziston mundësia që situata të zgjidhet shpejt.
Në Teheran, reagimet kanë qenë më të rezervuara. Ministria e Jashtme iraniane tha se do të përgjigjet “në kohën e duhur”, ndërsa deputeti iranian Ebrahim Rezaei e cilësoi draftin si “më shumë një listë dëshirash amerikane sesa një marrëveshje reale”. Edhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi me skepticizëm duke i quajtur lajmet për një marrëveshje të afërt pjesë të propagandës amerikane.
Lajmet për një marrëveshje të mundshme kanë ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës ka shënuar rënie të ndjeshme, me naftën Brent që ka zbritur rreth 11%, ndërsa bursat ndërkombëtare kanë reaguar pozitivisht për shkak të shpresave për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe stabilizim të furnizimeve energjetike globale.
Sipas burimeve diplomatike, negociatat nga pala amerikane po drejtohen nga i dërguari special Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner. Nëse drafti paraprak miratohet nga të dyja palët, pritet të nisë një periudhë intensive 30-ditore negociatash për të arritur një marrëveshje më të plotë dhe afatgjatë. Megjithatë, diplomatët paralajmërojnë se diferencat mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të mëdha dhe se rruga drejt një marrëveshjeje përfundimtare do të jetë ende e vështirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)