Bashkimi Europian ka bërë të qartë se kompanitë ajrore që anulojnë fluturimet për shkak të problemeve me furnizimin me karburant apo që lidhen me kostot e larta të furnizimit, gjatë sezonit veror do të jenë të detyruara të kompensojnë pasagjerët. Komisioneri Europian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas deklaroi për “Financial Times” se mungesa apo rritja e çmimit të karburantit nuk konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme”, çka do t’i përjashtonte kompanitë nga përgjegjësia ligjore ndaj udhëtarëve.
Sipas tij, nëse një fluturim anulohet për këto arsye, kompanitë duhet të rimbursojnë ose kompensojnë pasagjerët në përputhje me legjislacionin europian. Ndërkohë, edhe pse rregullat e BE-së vazhdojnë të zbatohen në Mbretërinë e Bashkuar edhe pas “Brexit”, qeveria britanike e udhëhequr nga Keir Starmer mund të ndjekë një qasje tjetër. Së fundmi është raportuar se në Britani janë zbutur penalitetet ndaj kompanive ajrore që detyrohen të anulojnë fluturime për shkak të mungesës së karburantit.
Nga ana tjetër, Ryanair, kompania më e madhe ajrore në Europë deklaroi se nuk parashikon anulime gjatë verës, pasi kishte siguruar kontratat e karburantit para përshkallëzimit të konfliktit në Iran. Megjithatë, kompani të tjera ku mes tyre janë edhe Lufthansa dhe Aer Lingus kanë njoftuar anulime fluturimesh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)