GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish-prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, dhe tre personave të tjerë, të akuzuar për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj 2026, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK që në janar të këtij viti për dërgimin e çështjes në gjykim.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ish-prokurori Kledian Llaho do të përballet me akuzat për “korrupsion pasiv të funksionarëve të sistemit të drejtësisë” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, të kryera në bashkëpunim.
Për të njëjtat akuza është dërguar për gjykim edhe Vasil Bakalli, ndërsa Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Gjykata ka vendosur që çështja të shqyrtohet nga një trup gjykues me tre gjyqtarë, ndërsa dosja do t’i nënshtrohet shortit për përcaktimin e trupës së re gjykuese.
Ndërkohë, i pandehuri Pando Papuçi ka kërkuar që procesi ndaj tij të zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Kjo kërkesë do të shqyrtohet gjatë fazës së gjykimit.
Në vendim theksohet se fashikulli gjyqësor përmban të gjitha provat e mbledhura nga SPAK gjatë hetimeve, si edhe provat dhe dokumentet e paraqitura nga të pandehurit dhe avokatët e tyre gjatë seancës paraprake.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)