Protesta e opozitës, bllokohen rrugët, policia përgatit planin e masave

Policia e Tiranës ka gati planin e masave për protestën e radhës së opozitës dhe iu bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve që të distancohen nga aktet e dhunës.

07.05.2026. 16:33

Protesta e opozitës, bllokohen rrugët, policia përgatit planin e masave

Policia e Shtetit dhe konkretisht Drejtoria e Tiranës bën me dije se ka organizuar një plan masash në lidhje me protestën e radhës që do të mbajë Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj ditën e premte.

Protesta, njësoj si herët e tjera do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej orës 19:00.

Sipas policisë, për mbarëvajtjen e kësaj proteste janë marrë disa masa, zbatimi i të cilave do të nisë prej mesnatës së të enjtes.

Kështu, nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)