Krim i rëndë në Austri, burri vret vajzën dhe gruan e më pas vetëvritet

Mediat lokale raportojnë se një i moshuar dyshohet se ka qëlluar fillimisht dy gratë dhe më pas ka vrarë veten.

Burimi: DW

07.05.2026. 16:47

Krim i rëndë në Austri, burri vret vajzën dhe gruan e më pas vetëvritet

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në qytetin Linz të Austrisë, ku të shtënat me armë zjarri kanë lënë të vdekur tre persona.

Sipas policisë austriake, viktimat janë një burrë dhe gruaja dhe vajza e tij. Autoritetet konfirmuan se arma e përdorur në ngjarje është sekuestruar dhe se nuk ka më rrezik për qytetarët në zonë.

Ngjarja ndodhi në pjesën veriore të qytetit, pranë një biznesi në fushën e gastronomisë, ku u pa një prani e madhe policore menjëherë pas alarmit.

Mediat lokale raportojnë se një i moshuar dyshohet se ka qëlluar fillimisht dy gratë dhe më pas ka vrarë veten. Megjithatë, policia nuk ka dhënë ende detaje zyrtare mbi motivin e ngjarjes.

Zëdhënësja e policisë së Austrisë, Ulrike Handlbauer, deklaroi se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe se autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Linz është një nga qytetet më të mëdha të Austrisë, me mbi 200 mijë banorë, i vendosur përgjatë lumit Danub.

Sipas statistikave, krimet me armë zjarri janë relativisht të rralla në Austri krahasuar me vende të tjera.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)