Një nga fenomenet më spektakolare astronomike të shekullit pritet të ndodhë më 2 gusht 2027, kur qielli do të errësohet për më shumë se gjashtë minuta gjatë të ashtuquajturit “eklipsi i shekullit”.
Bëhet fjalë për eklipsin total diellor më të gjatë të shekullit XXI, i cili në pikën e tij maksimale do të zgjasë 6 minuta e 23 sekonda. Sipas ekspertëve, fenomeni do të jetë i dukshëm në disa vende të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme, ndërsa epiqendra e tij do të jetë në qytetin egjiptian të Luksorit.
Në atë moment, Dielli do të mbulohet plotësisht mbi monumentet historike të Egjiptit antik, përfshirë tempullin e Karnakut dhe nekropolin e Tebës së lashtë, duke krijuar një pamje të rrallë dhe mbresëlënëse.
Spanja do të jetë i vetmi vend europian nga ku eklipsi do të shihet në formën e tij të plotë. Qytetet më të favorshme për ta ndjekur fenomenin do të jenë Kadizi dhe Malaga. Në Kadiz, errësira totale do të zgjasë rreth 2 minuta e 55 sekonda, ndërsa në Malaga afërsisht 1 minutë e 53 sekonda. Në pjesën tjetër të Spanjës, eklipsi do të jetë vetëm pjesërisht i dukshëm.
Fenomeni do të mund të shihet gjithashtu nga Maroku verior, Algjeria, Tunizia, Libia, Arabia Saudite, Jemeni dhe Somalia, përpara se të përfundojë mbi Oqeanin Indian.
Ekspertët thonë se eklipse të tilla ndodhin shumë rrallë dhe një fenomen i ngjashëm nuk pritet të përsëritet deri në vitin 2114. Për këtë arsye, agjenci të shumta turistike kanë nisur tashmë organizimin e udhëtimeve speciale për të ndjekur nga afër këtë spektakël astronomik unik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)