Në Kuvend u zhvillua një debat i ashpër mbi raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, ku mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza për procesin e integrimit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e akuzoi mazhorancën se po dëmton procesin e integrimit europian dhe po mbron persona të përfshirë në korrupsion, duke ju referuar rrëzimit me votë të kërkesës së SPAK, drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Absurdi më i madh është injorimi i raportit të PE, lexojeni mirë dhe del secili nga ju të kuptojë se me atë votë krimi që ka dhënë për Ballukun, i ka futur një thikë pas shpine procesit të integrimit europian të shqiptarëve. Lexojeni se nis dhe mbaron me sikur ta kishte shkruar opozita në kuptimin e denoncimeve të saj. Nuk vjen në parlament se ka frikë. Është i tmerruar dhe nuk di se çfarë bën. Ai refuzon çdo interpelancë. Me atë votë krimi që keni dhënë për Ballukun i keni futur një thikë pas shpine procesit të integrimit europian të shqiptarëve. E lexuat o ‘lubistë’. Vjedhjet e ‘Lubisë’ shkatërrojnë integrimin”, tha Berisha.
Sipas Berishës, ky raport i PE është “krye damkosës për farsën elektorale dhe damkosës për mbrojtjen e korrupsionit.”
“Mbrojtje e Lubisë, dorëzoni Lubinë në Prokurori dhe Gjykatë”, nënvizoi ai.
Kreu të PD-së ju përgjigj Taulant Balla, i cili hodhi poshtë deklaratat e opozitës, duke i cilësuar të pavërteta dhe duke theksuar se raporti mbështet progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Të sqarojmë shqiptarët me të pavërtetat për raportin e PE. 80% e komisionit të Jashtëm ishte pro anëtarësimit të Shqipërisë, mbështesin ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave brenda Krishtlindjeve të ardhme. Komisioni, edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me email nga Tirana, nuk e kaloi filtrin e Komisionit të Jashtëm”, tha Balla.
Duke thënë se ishin 300 amendamente, pjesa më e madhe e të cilëve u rrëzua nga PE, kreu i grupit parlamentar të PS, akuzoi opozitën dhe kreun e saj Sali Berisha se mes tyre kishte edhe të nisur me e-mail nga Tirana.
“U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. Edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me e-mail nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e Komisionit të Jashtëm. Kam vetëm 1 koment tek pika 12 e kësaj projekt-rezolute. Shqipëria është model i respektimit të të drejtave të komuniteteve. Ligjin që kemi ne për minoritetet, është më i miri që Këshilli i Europës e rekomandon”, u shpreh Balla.
Ai shtoi gjithashtu se “përshpejtimi i procesit duhet të shoqërohet me progresin substancial duke theksuar se përafrimi i legjislacionit duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve të monitorimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)