Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur ndërprerjen e publikimit të komunikatave ditore për ngjarjet kriminale dhe aktivitetet policore në të 12 qarqet e vendit.
Sipas vendimit të ri, nuk do të publikohet më as komunikata kombëtare e Policisë së Shtetit.
Gjatë një deklarate për mediat, Hita tha se kjo masë “nuk është tërheqje nga transparenca”, por një përpjekje për të shmangur, sipas tij, mbingarkesën me lajme kriminale dhe publikimin e informacioneve të pakonfirmuara që mund të krijojnë pasiguri te qytetarët.
Ai u shpreh se qytetarët kanë nevojë për informacion “të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm”, duke shtuar se Policia e Shtetit nuk duhet të identifikohet vetëm me kronikën e zezë, por edhe me punën parandaluese, bashkëpunimin me komunitetin dhe aktivitetet ndërgjegjësuese.
Megjithatë, vendimi ka ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe vështirësi në verifikimin zyrtar të ngjarjeve nga mediat. Gazetarët dhe redaksitë e konsiderojnë komunikatën ditore një burim të rëndësishëm informacioni për konfirmimin e rasteve që raportohen në terren.
Kjo është hera e parë që prej vitit 1991 që ndërpritet publikimi i komunikatave ditore të policisë në të gjitha qarqet e vendit, një lëvizje që ka hapur debat mbi raportin mes informimit publik dhe menaxhimit të komunikimit nga institucionet e sigurisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)