Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 1 vit burg avokaten Erida Lazimi, e akuzuar për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u ul në 8 muaj burg.
Megjithatë, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 16-mujore.
Sipas hetimeve të SPAK, emri i avokates doli në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Ajo u akuzua se kishte pranuar të ndërhynte te një gjyqtar në favor të biznesmenit Astrit Vladi dhe personave të tjerë, kundrejt përfitimeve të paligjshme financiare.
Ngjarja lidhet me periudhën e vitit 2020, kur dosja penale ndaj Elvis Vladit, vëllait të Astrit Vladit ishte në seancë paraprake. Sipas prokurorisë, Astrit Vladi i kishte kërkuar Erida Lazimit të përdorte ndikimin e saj për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.
Hetimet për këtë çështje u zhvilluan në kuadër të dosjes së bujshme “Toyota Yaris”, ku në vitin 2019 u zbuluan rreth 3.5 milionë euro të fshehura në një automjet tip Toyota të ardhur nga Belgjika. Dosja solli një seri hetimesh për korrupsion, trafik droge dhe pastrim parash, ndërsa më herët janë dënuar edhe ish-kryeprokurorja e Vlorës Aurela Zarka dhe avokati Radovan Çela.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)