Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se rreth 490 mijë pensionistë në Shqipëri marrin pensione të pjesshme, duke e përshkruar situatën e tyre ekonomike si një nga më të vështirat në vend.
Gjatë një tryeze me fokus pensionistët, Berisha tha se një pjesë e madhe e kësaj kategorie sociale jeton në kushte varfërie të skajshme dhe, sipas tij, shpesh përballet me një standard jetese edhe më të vështirë se në periudhën e socializmit.
Ai kritikoi rritjen e çmimeve të konsumit, duke argumentuar se të ardhurat e pensionistëve nuk kanë ndjekur ritmin e inflacionit, veçanërisht për produktet bazë të shportës ushqimore. Sipas tij, inflacioni real për ushqimet është shumë më i lartë se shifrat zyrtare dhe ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e kushteve të jetesës.
Berisha u shpreh gjithashtu se sistemi i indeksimit të pensioneve është i pamjaftueshëm dhe nuk reflekton rritjen reale të kostos së jetesës, duke theksuar se pensionistët mbeten ndër grupet më të prekura nga varfëria.
“Mbase duhet të kemi parasysh një gjë, që rreth 490.000 pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime. Dhe po të kemi parasysh çmimet e tregut, ata kanë një jetë shumë, shumë të vështirë. Kanë një jetë, në disa aspekte, më të vështirë se në socializëm. Ku, me aq sa merrnin, ato që ishin i blinin. Me ato çmime simbolike. Kurse sot çmimet nuk janë më simbolike. Çmimet janë krejtësisht të përcaktuara nga tregu. Dhe në Shqipëri, fenomeni, zhvillimi më negativ ka qenë ky, që rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve.
Më të larta se në Serbi, më të larta se, që sot e ka, Serbia sot e ka 488 euro pensionin mesatar. Ishin më të larta se në Maqedoni, më të larta se në, se në Rumani, më të larta se në Bullgari. Ishin dy vende anëtare të Bashkimit Europian.
Natyrisht, vazhdimi i këtij trendi duhet të ishte detyrim madhor absolut i qeverisë. Qeveria çfarë bëri? Dyfishoi taksat. Qeveria pretendoi se po i indekson pensionet. Cili indeksim? Indeksimi me treguesin e inflacionit të përgjithshëm. Pensionistëve u del dy kokrra vezë. Po indeksimi me, me inflacionin selektiv nuk është konsideruar kurrë për ta. Ndaj dhe ata mbeten, mbeten, në vend numëro, ose me rritje shumë modeste, në një kohë kur çmimet u rritën mbi 100%.
Në një kohë kur mallrat e asaj që quhet shportë, u bënë më të shtrenjta, jo se në Serbi, jo se në Maqedoni, apo Mal të Zi, por u bënë më të shtrenjta se në Itali, se në Greqi, se në Gjermani në disa raste. Plus, fatura e kujdesit shëndetësor për këta burra dhe gra. Pra, në mënyrë të papërgjegjshme, në mënyrën më të papërgjegjshme, pensionistët u zhytën gjithnjë e më thellë në mjerim”, tha Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)