“Bordi i Transparencës, vetëm transparencë nuk ka...”, Braçe: 731 milionë litra naftë të rieksportuara drejt Kosovës

Sipas deputetit socialist, një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie mund të mos përfundojë në destinacionin e deklaruar, por të rishitet brenda territorit shqiptar, duke ngritur dyshime për një skemë të mundshme kontrabande.

07.05.2026. 18:53

“Bordi i Transparencës, vetëm transparencë nuk ka...”, Braçe: 731 milionë litra naftë të rieksportuara drejt Kosovës

Kondrabanda, korrupsioni dhe abuzimi po ndikon që shqiptarët të vidhen kur bëhet fjalë për shpenzimin për karburante. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka ngritur në Kuvend shqetësime serioze që lidhen me tregtinë e karburanteve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai deklaroi se gjatë vitit 2025 janë rieksportuar rreth 731 milionë litra naftë drejt Kosovës.

Sipas Braçes, një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie mund të mos përfundojë në destinacionin e deklaruar, por të rishitet brenda territorit shqiptar, duke ngritur dyshime për një skemë të mundshme kontrabande. Deputeti socialist tha gjithashtu se rreth një e treta e këtij rieksporti realizohet nga vetëm një kompani dhe akuzoi për përfshirje zyrtarësh nga të dy vendet.

Ai vlerësoi punën e Bordi i Transparencës për kontrollin e çmimeve, por kritikoi mungesën e transparencës, duke theksuar se kjo fsheh mënyrën reale të funksionimit të tregut të naftës. “Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta”, tha Braçe.

“Rezerva në raport me Bordin lidhet me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, theksoi deputeti socialist.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)