1.500 anije të bllokuara, Irani krijon agjenci të re për tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit

Autoriteti i ri, i quajtur “Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik”, pretendohet se do të jetë i vetmi organ legjitim për dhënien e lejeve të kalimit për anijet tregtare.

07.05.2026. 21:58

1.500 anije të bllokuara, Irani krijon agjenci të re për tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka ngritur një agjenci të re shtetërore për të autorizuar kalimin dhe për të mbledhur tarifa nga anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe mallrave. Sipas kompanisë së të dhënave detare “Lloyd's List Intelligence”, autoriteti i ri, i quajtur “Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik”, pretendohet se do të jetë i vetmi organ legjitim për dhënien e lejeve të kalimit për anijet tregtare.

Raportohet gjithashtu se janë dërguar formularë aplikimi për kompanitë detare që duan të kalojnë në këtë zonë. Lëvizja ka ngritur shqetësime në nivel ndërkombëtar për ndikimin e mundshëm në lirinë e lundrimit, e cila konsiderohet thelbësore për tregtinë globale. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare, Arsenio Dominguez ka deklaruar se rreth 1.500 anije dhe rreth 20.000 anëtarë ekuipazhi ndodhen aktualisht të bllokuar në këtë zonë duke pritur leje kalimi.

“Bëhet fjalë për njerëz që thjesht kryejnë punën e tyre të përditshme, por që janë përfshirë në situata gjeopolitike që nuk varen nga ata”, u shpreh Dominguez. Ai theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi jetike për ekonominë globale, pasi përmes rrugëve detare transportohet mbi 80% e mallrave të konsumit në botë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)