Do të jetë një përballje britaniko-franceze ajo e 30 majit në Budapest për të përcaktuar fituesen e Champions League për sezonin 2025-2026.
Paris Saint Germain është finalistja e dytë e këtij kompeticioni pas Arsenalit, e cila arriti të eliminojë Bayern Munchen.
Ndeshja e dytë në Allianz Arena u mbyll në barazim 1-1, por francezët arritën të kualifikoheshin falë fitores spektakolare në takimin e parë me rezultatin 5-4.
Ndeshja filloi vrullshëm me djemtë e Luis Enrique që kaluan në avantazh që në minutën e 3 me anë të Dembele, falë një inkursioni të bukur në zonë nga gjeorgjiani Kvaratskhelia.
Gjermanët u hodhën në sulm pasi nuk kishin gjë për të humbur, por mbrojtja e francezëve ishte e vendosur mirë dhe nuk la hapësira për vendasit.
Disa momente tensioni u shënuan gjatë 45 minutave të parë, me vendasit që kërkuan një karton të dytë të verdhë për Mendes për ndalim të qëllimshëm me dorë të aksionit dhe një penallti, por që gjyqtari nuk ishte i këtij mendimi.
Edhe në pjesën e dytë ishin bavarezët ata që e kërkuan më shumë golin duke rralluar radhët e mbrojtjes me zëvendësimet, e duke lënë hapësira në prapravijë për PSG, e cila nuk i shfrytëzoi si duhet.
E teksa gjithçka ishte drejt minutave shtesë, Bayern gjeti forcë për të barazuar me Kane për 94, por ky gol nuk mund të bënte asgjë më shumë se të shmangte një humbje dhe jo një eliminim.
Finalja e Champions do të luhet më 30 maj në Puskas Arena në Budapest me PSG që kërkon të rikonfirmohet si kampion evrope, teksa Arsenali prej më shumë se 20 vitesh mungonte në një ndeshje kaq të rëndësishme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)