Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj ka deklaruar se FIFA duhet të sigurojë që në Shtetet e Bashkuara të mos ketë fyerje apo ofendime ndaj Gardës Revolucionare Islamike, nëse përfaqësuesja iraniane udhëton atje për të marrë pjesë në Botërorin 2026 në qershor. Sipas agjencisë Reuters, Taj ka theksuar se Irani kërkon garanci të qarta për trajtimin e delegacionit iranian gjatë qëndrimit në SHBA, duke u bazuar edhe në incidentin e fundit në Kanada.
Javën e kaluar, një delegacion i Federatës iraniane, ku bënte pjesë edhe vetë Taj u ndalua në kufirin kanadez dhe u detyrua të kthehej mbrapsht, pasi sipas tyre u përballën me trajtim të papërshtatshëm nga autoritetet e emigracionit, teksa po udhëtonin për të marrë pjesë në Kongresin e FIFA-s në Vancouver. Kreu i federatës ka deklaruar se vendimi për t’u kthyer ishte zgjedhje e tyre, por më pas ministri kanadez i emigracionit konfirmoi në Parlament se viza e tij ishte anuluar gjatë fluturimit, për shkak të lidhjeve të tij me Gardën Revolucionare Islamike.
Kanadaja i ka futur Pasdaranët në listën e “organizatave terroriste” në vitin 2024, pesë vjet pasi një veprim të tillë e kishte ndërmarrë edhe SHBA. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström i ka dërguar një letër Federatës iraniane, duke shprehur keqardhje për “shqetësimin dhe zhgënjimin” e përjetuar në Kanada dhe duke i ftuar zyrtarët në Cyrih më 20 maj, për një takim lidhur me përgatitjet për Kupën e Botës.
Mehdi Taj ka paralajmëruar se do të kërkojë garanci nga organet drejtuese të futbollit në SHBA, duke thënë se askush nuk duhet të ketë të drejtë të ofendojë simbolet e sistemit iranian, veçanërisht Gardën Revolucionare. “Na duhet një garanci që nuk kanë të drejtë të ofendojnë simbolet e sistemit tonë, në veçanti Gardën Revolucionare Islamike. Nëse kjo garanci nuk ekziston, mund të ndodhë e njëjta situatë si në Kanada”, ka deklaruar Taj.
Ai ka shtuar se Irani është kualifikuar për Botëror dhe do të marrë pjesë, por ka insistuar se organizatore është FIFA, jo administrata amerikane. “Ne shkojmë në Botëror, duke u kualifikuar dhe mikpritësi ynë është FIFA, jo Trump apo Amerika. Nëse na pranojnë si mysafirë, duhet të pranojnë edhe që të mos fyejnë institucionet tona ushtarake”, ka thënë ai.
Taj ka bërë të ditur gjithashtu se Federata iraniane synon të organizojë të paktën një ndeshje miqësore me një “ekip të fortë” në Turqi, si pjesë e përgatitjeve për Kampionatin Botëror. Aty Irani ka zhvilluar ndeshjet kundër Nigerisë dhe Kosta Rikës në fund të muajit mars, pasi kishte nisur konflikti në Lindjen e Mesme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)