Papa Leoni i përgjigjet Trump: Kush do të më kritikojë, ta bëjë me të vërtetën

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio pritet të mbërrijë sot në Romë. Zyrtari amerikan është përpjekur të minimizojë tensionet dhe e cilësoi si “jo të saktë” interpretimin se Trump kishte thënë që Papa po rrezikon katolikët.

06.05.2026. 11:54

Papa Leoni i përgjigjet Trump: Kush do të më kritikojë, ta bëjë me të vërtetën

Papa Leoni XIV i është përgjigjur deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e akuzoi se po “vendos në rrezik shumë katolikë dhe shumë njerëz” duke qenë i butë ndaj Iranit dhe armëve bërthamore. Duke folur në dalje nga Castel Gandolfo, Papa theksoi se misioni i Kishës është paqja dhe predikimi i Ungjillit.

“Misioni i Kishës është të predikojë Ungjillin dhe paqen. Nëse dikush dëshiron të më kritikojë për shpalljen e Ungjillit, le ta bëjë... por me të vërtetën”, deklaroi ai. Papa rikujtoi gjithashtu se Kisha Katolike prej vitesh ka folur kundër armëve bërthamore.

“Kisha ka folur prej vitesh kundër të gjitha armëve bërthamore. Prandaj nuk ka asnjë dyshim. Shpresoj thjesht të dëgjohem për vlerën e fjalës së Zotit”, shtoi Ati i Shenjtë. Një ditë më parë Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin kishte deklaruar se Papa do të vazhdojë rrugën e tij në predikimin e paqes, “në çdo rast, të përshtatshëm apo të papërshtatshëm”.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio pritet të mbërrijë sot në Romë dhe vizita e tij tek Papa është parashikuar për këtë të enjte. Zyrtari amerikan është përpjekur të minimizojë tensionet, duke thënë se “ka pasur episode” dhe se ka “shumë gjëra për të diskutuar me Vatikanin”. Ai përmendi çështje si liria fetare dhe situata në Kubë.

Rubio gjithashtu e cilësoi si “jo të saktë” interpretimin se Trump kishte thënë që Papa po rrezikon katolikët për shkak të qëndrimeve mbi Iranin. Ai argumentoi se presidenti amerikan thjesht është i bindur se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)