“Armëpushimi” i Kievit hyn në fuqi, por sulmet ruse shkaktojnë mbi 20 viktima në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha ka deklaruar se Rusia ka shkelur armëpushimin duke lëshuar 108 dronë dhe 3 raketa, pavarësisht shpalljes së ndalimit të luftimeve.

06.05.2026. 12:26

“Armëpushimi” i Kievit hyn në fuqi, por sulmet ruse shkaktojnë mbi 20 viktima në Ukrainë

Nga mesnata ka hyrë në fuqi një armëpushim i shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kievi, por situata në terren vijon të mbetet e përgjakshme. Sipas autoriteteve lokale, sulmet ruse kanë shkaktuar të paktën mbi 20 të vrarë në disa zona të Ukrainës.

Në Zaporizhzhia raportohet për 12 viktima, në Kramatorsk 5, ndërsa në Dnipro 4 të vrarë. Ndërkohë, nga pala ukrainase është raportuar edhe bombardim i Krimesë, ku sipas informacioneve fillestare janë vrarë 5 persona.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha ka deklaruar se Rusia ka shkelur armëpushimin duke lëshuar 108 dronë dhe 3 raketa, pavarësisht shpalljes së ndalimit të luftimeve nga Kievi. Në një reagim në platformën X, Sybiha tha se sulmet ajrore ruse kanë vazhduar gjatë gjithë natës, duke përfshirë edhe goditje në mëngjes ndaj Kharkivit dhe Zaporizhzhias.

Sipas tij, Moska ka injoruar një thirrje “realiste dhe të arsyeshme” për ndaljen e luftimeve, e mbështetur nga disa shtete dhe organizata ndërkombëtare. “Rusia refuzon paqen dhe thirrjet e saj të rreme për armëpushim nuk kanë lidhje me diplomacinë”, u shpreh Sybiha.

Ai shtoi se presidenti rus Vladimir Putin është i interesuar vetëm për “parada ushtarake, jo për jetët njerëzore”. Ministri bëri thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Moskës, përfshirë sanksione të reja, izolim diplomatik dhe rritje të ndihmës për Ukrainën në të gjitha fushat.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)