Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për krime lufte të kryera në Gjakovë. Të pandehurit, të identifikuar me inicialet M.K., V.M., D.R., Z.D., C.B., M.I., S.S. dhe S.K., akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, ata dyshohet se në periudhën 24-31 mars 1999, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë në bashkëveprim me strukturat policore, ushtarake dhe paramilitare në qytetin e Gjakovës. Gjatë atij operacioni janë kryer vrasje, dëbim i civilëve si edhe shkatërrim e plaçkitje e pronës.
Prokuroria dyshon se gjatë këtij operacioni janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 të tjerë. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm nga organet e drejtësisë. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës, në përputhje me standardet ndërkombëtare, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)