Ulja e tensioneve SHBA-Iran, nafta bie menjëherë nën 100 dollarë për fuçi

Rënia e çmimeve është nxitur nga zhvillimet diplomatike dhe raportimet për negociata të mundshme mes Teheranit dhe Uashingtonit.

06.05.2026. 13:44

Ulja e tensioneve SHBA-Iran, nafta bie menjëherë nën 100 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës kanë pësuar rënie të fortë në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve për një zbutje të mundshme të tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Nafta Brent ka rënë me rreth 9.3%, duke zbritur nën nivelin 100 dollarë për fuçi, ndërsa nafta ËTI ka humbur rreth 11%, duke u tregtuar rreth 91 dollarë për fuçi.

Rënia e çmimeve është nxitur nga zhvillimet diplomatike dhe raportimet për negociata të mundshme mes Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas burimeve, Kina ka kërkuar një “armëpushim të plotë dhe urgjent” pas takimit në Pekin mes ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe homologut iranian Abbas Araghchi.

Pekini është shprehur “thellësisht i shqetësuar” për konfliktin, duke e cilësuar atë si rrezik për paqen rajonale dhe globale. Takimi vjen në prag të një samiti të pritshëm mes Donald Trump dhe Xi Jinping në Pekin, më 14-15 maj. Ndërkohë, sipas “Axios”, SHBA dhe Irani janë afër një marrëveshjeje paraprake të bazuar në një memorandum me 14 pika, i negociuar përmes emisarëve amerikanë dhe ndërmjetësve.

Dokumenti do të synonte përfundimin e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve të detajuara për programin bërthamor iranian. Plani parashikon një fazë fillestare 30-ditore negociatash, gjatë së cilës do të diskutohej rihapja e Ngushticës së Hormuzit, kufizimi i programit bërthamor të Iranit dhe lehtësimi i sanksioneve amerikane. Gjatë kësaj periudhe, kufizimet për transportin detar dhe bllokada detare amerikane do të zbuten gradualisht.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)