Një rast shantazhi me foto dhe video intime është zbuluar nga Policia në Tiranë, ku një 38-vjeçare është kërcënuar nga dy persona për t’u dhënë para në këmbim të mos publikimit të materialeve private në rrjetet sociale.
Pas kallëzimit të bërë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan operacionin e koduar “Privacy”, duke arritur të arrestojnë në flagrancë një 17-vjeçar, ndërsa bashkëpunëtori i tij, shtetasi E.D., 21 vjeç, është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, dy të rinjtë i kishin marrë 38-vjeçares shumën prej 500 eurosh, duke e kanosur se do të publikonin foto dhe video intime të saj në internet nëse nuk paguante.
Gjatë operacionit policor u sekuestruan si prova materiale 500 eurot e marra nga viktima, si dhe dy telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për komunikimin dhe ruajtjen e materialeve komprometuese.
Policia bëri me dije se vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, i cili dyshohet gjithashtu si autor i disa vjedhjeve në subjekte të ndryshme në Tiranë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)