Në nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Prishtinë u organizuan shumë programe kulturore dhe shkencore, si edhe aktivitete përkujtimore, në të cilat kanë marrë pjesë qytetarë, studiues dhe delegacione nga trojet shqiptare si dhe diaspora arbëreshe. Aktivitetet, të organizuara nga Shoqata “Shqiptaria”, kanë nisur në orën 09:00 me homazhe dhe vendosje kurorash lulesh pranë shtatores së Skënderbeut në sheshin “Skënderbeu”.
Gjatë mëngjesit janë zhvilluar edhe takime zyrtare mes institucioneve të Kosovës dhe delegacioneve arbëreshe, me fokus në ruajtjen e identitetit arbëresh dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor. Në orën 10:00, Instituti i Historisë ka organizuar një simpozium shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Skënderbeut, ku studiues kanë trajtuar rolin e tij historik dhe ndikimin në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Pasdite, në sheshin “Nënë Tereza” është hapur ekspozita tematike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në artin kombëtar”, që sjell interpretimet artistike të figurës së tij ndër vite. Programi vijoi me një shfaqje festive nga ora 14:00 deri në 16:00, në të cilën marrin pjesë grupe artistike arbëreshe dhe ansamble folklorike, duke krijuar atmosferë festive në qendër të qytetit.
Në orën 16:00 mbahet koncerti qendror në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa aktivitetet kulmojnë në mbrëmje me programin artistik alternativ “Skënderbeg party”. Organizatorët theksojnë se këto aktivitete synojnë jo vetëm përkujtimin e figurës së Skënderbeut, por edhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe të identitetit mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i lindur më 6 maj 1405 në familjen e Gjon Kastriotit është një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare. Pas kthimit të tij në Krujë në vitin 1443, ai organizoi rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane dhe në vitin 1444 themeloi Lidhjen e Lezhës.
Në krye të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu zhvilloi një sërë betejash të suksesshme, duke u shquar si simbol i rezistencës dhe bashkimit kombëtar. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Krujë dhe sot konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme historike të shqiptarëve dhe një emër i njohur në historinë europiane për rezistencën ndaj Perandorisë Osmane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)