Ajo që nisi si një udhëtim ëndrrash nëpër Atlantikun Jugor, mes peizazheve të egra dhe ishujve më të izoluar në botë, është kthyer në një makth për pasagjerët e anijes turistike MV Hondius. Në bordin e anijes, që aktualisht ndodhet në Ishujt Kanarie perëndimore të Afrikës, janë konfirmuar tre raste me hantavirus dhe pesë të tjera të dyshuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.
Rreth 150 persona nga 23 vende të ndryshme ndodhen ende në anije, ndërsa autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po përpiqen të kontrollojnë situatën dhe të kuptojnë nëse virusi është përhapur mes pasagjerëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se tre persona të dyshuar me hantavirus janë evakuuar nga anija dhe po transportohen drejt Holandës për trajtim të specializuar.
Mes pasagjerëve ndodhet edhe vlogeri amerikan Jake Rosmarin, i cili shpërtheu në lot në një video të publikuar në rrjetet sociale. “Nuk jemi thjesht një histori apo tituj lajmesh. Jemi njerëz me familje dhe me njerëz që na presin në shtëpi”, tha ai, duke përshkruar frikën dhe pasigurinë që po përjetojnë në bord.
Megjithatë, jo të gjithë pasagjerët e shohin situatën me të njëjtin alarm. Një tjetër influencer në bord, Kasem Hato, deklaroi se situata “është ekzagjeruar”, duke shtuar se shumica e pasagjerëve janë të qetë dhe po përpiqen të vazhdojnë rutinën e tyre normale. Sipas tij, njerëzit po lexojnë libra, shikojnë filma dhe konsumojnë pije të ngrohta për të kaluar kohën gjatë izolimit.
Pamjet e publikuara nga anija tregojnë korridore të boshatisura, sallone luksoze pa pasagjerë dhe personel shëndetësor të veshur me pajisje mbrojtëse. Pasagjerëve u është kërkuar të mbajnë maska në ambientet e mbyllura, të ruajnë distancën sociale dhe të dezinfektojnë vazhdimisht duart.
MV Hondius ishte nisur nga Ushuaia e Argjentinës më 1 prill për një ekspeditë luksoze drejt ishujve më të largët të Atlantikut. Udhëtimi përfshinte ndalesa në territorin britanik të South Georgia, ishullin Tristan da Cunha dhe Shën Helena. Në fillim gjithçka dukej perfekte, me pasagjerët që ndanin video të natyrës, kolonive të pinguinëve dhe aventurave në oqean.
Por drama nisi më 11 prill, kur një shtetas holandez humbi jetën në bord në rrethana fillimisht të paqarta. Dy javë më vonë, bashkëshortja e tij u transportua drejt Afrikës së Jugut, ku ndërroi jetë në spital. OBSH-ja konfirmoi më pas se 69-vjeçarja ishte e infektuar me hantavirus.
Më 27 prill, një pasagjer britanik u sëmur rëndë dhe u evakuua drejt Afrikës së Jugut, ku ndodhet në gjendje kritike, por stabile. Ndërsa më 2 maj, një shtetas gjerman humbi jetën në bord, duke e çuar numrin total të viktimave në tre. Ende nuk është konfirmuar nëse ai ishte i infektuar me virusin.
Autoritetet shëndetësore të Afrikës së Jugut njoftuan se tek dy pacientë të evakuuar nga anija është identifikuar varianti “Andes” i hantavirusit, një formë e rrallë që mund të transmetohet edhe mes njerëzve që kanë kontakte të afërta.
Ndërkohë, operatori i anijes, Oceanwide Expeditions, deklaroi se dy specialistë të sëmundjeve infektive nga Holanda janë nisur drejt anijes për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)