Është publikuar video e aksidentit ajror pranë aeroportit Newark Liberty, ku një avion i kompanisë United Airlines u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe një kamion gjatë uljes.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 14:00, kur fluturimi 169 i United Airlines, që vinte nga Venecia drejt New Jersey, po ulej. Në bord ndodheshin 221 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin dramatik kur pjesa e poshtme dhe goma e avionit tip Boeing 767-400 kalojnë shumë pranë autostradës dhe godasin një shtyllë ndriçimi si edhe një kamion transporti që po qarkullonte në autostradën New Jersey Turnpike.
Pas përplasjes, shtylla goditi edhe një automjet tjetër tip Jeep që ndodhej në rrugë. Drejtuesi i kamionit u dërgua në spital me plagë të lehta dhe më pas u lirua.
Autoritetet thanë se në avion nuk pati të lënduar, ndërsa dëmet në mjetin fluturues ishin të vogla. Aeroporti rifilloi shpejt operimet normale pasi pista u kontrollua për mbetje dhe dëmtime.
Në një reagim zyrtar, United Airlines deklaroi se ekipi teknik po vlerëson dëmet në avion dhe se do të kryhet një hetim i plotë për sigurinë e fluturimit. Ekuipazhi është pezulluar përkohësisht nga shërbimi deri në përfundim të hetimeve.
Edhe Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, reagoi ashpër ndaj incidentit. “Kjo është e papranueshme. Pilotët tanë janë shumë të trajnuar dhe kjo nuk duhet të ndodhë kurrë në Amerikë”, deklaroi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)