Dogana gjermane sekuestron 250 kg suxhuk në autobusin nga Kosova

Dyshimet u ngritën fillimisht nga aroma e fortë që vinte nga disa çanta në bagazh.

Burimi: SWR.de

04.05.2026. 22:59

Dogana gjermane sekuestron 250 kg suxhuk në autobusin nga Kosova

Autoritetet doganore në Shtutgart të Gjermanisë kanë sekuestruar mbi 250 kilogramë suxhuk dhe produkte të tjera mishi, të cilat po tentoheshin të futeshin ilegalisht në Bashkimin Evropian nga Kosova.

Sipas mediave gjermane, zbulimi u bë gjatë një kontrolli në një autobus udhëtarësh në terminalin e aeroportit të qytetit. Dyshimet u ngritën fillimisht nga aroma e fortë që vinte nga disa çanta në bagazh.

Gjatë kontrollit, oficerët gjetën gjithsej 252.8 kilogramë produkte mishi që nuk lejohen të importohen në BE për shkak të rregullave të rrepta veterinare.

Përveç mishit, në autobus u zbuluan edhe 700 cigare kontrabandë, katër dritare alumini me vlerë rreth 720 euro, një kuzhinë me vlerë 400 euro dhe një kondicioner, të gjitha pa deklarim doganor.

Ndërkohë, autoritetet sekuestruan edhe një qen pesë muajsh i racës Maltipoo, me vlerë mbi 2 mijë euro, për të cilin dyshohet se po futej për qëllime tregtare dhe pa dokumentacion të plotë vaksinimi.

Kafsha është dërguar në karantinë në një strehë për kafshë.

Ndaj dy drejtuesve të autobusit dhe një personi që priste mallrat është nisur procedim penal për kontrabandë, ndërsa rrezikojnë edhe gjoba administrative.

Autoritetet theksojnë se rregullat strikte për importin e produkteve shtazore synojnë të parandalojnë përhapjen e sëmundjeve nga vendet jashtë BE-së. Vetëm gjatë vitit të kaluar, dogana e Shtutgartit ka bllokuar dhe shkatërruar rreth katër ton produkte ushqimore të ndaluara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)