“Rroga e 13-të, jo vetëm privilegj i sektorit publik”, Kurti: Nga korriku, paga minimale 500 euro

Në mesazhin e tij për 1 Majin, kryeministri në detyrë i Kosovës u bëri thirrje kompanive private që të ndjekin shembullin e qeverisë për trajtimin e punëtorëve.

01.05.2026. 17:17

“Rroga e 13-të, jo vetëm privilegj i sektorit publik”, Kurti: Nga korriku, paga minimale 500 euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mesazhin e tij për 1 Majin u bëri thirrje kompanive private që të ndjekin shembullin e qeverisë për trajtimin e punëtorëve. Ai theksoi se vendimi për pagën e 13-të në administratë ishte një hap i rëndësishëm për vlerësimin e kontributit të punonjësve.

“I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”, tha Kurti. Ai nënvizoi se puna ka një vlerë që shkon përtej aspektit ekonomik dhe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e shoqërisë.

Në të njëjtin mesazh, kryeministri në detyrë paralajmëroi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro nga muaji korrik, duke kujtuar se ajo është rritur tashmë nga 170 në 425 euro dhe ka ndikuar rreth 150 mijë punëtorë. “Punëtorët kanë qenë shtyllë e qëndresës edhe në kohët më të vështira”, u shpreh Kurti, duke përmendur edhe programin e punësimit të të rinjve dhe rritjen e numrit të të punësuarve gjatë mandatit qeverisës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)