Presidenti amerikan Donald Trump është informuar mbi planet e reja për sulme të mundshme kundër Iranit. Lajmi raportohet nga Axios, duke cituar gazetarin Barak Ravid. Sipas burimeve, admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM dhe Shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, e kanë njoftuar Trump gjatë një takimi informues të zhvilluar të enjten, që ka zgjatur rreth 45 minuta.
Ndërkohë, një zyrtar i administratës amerikane ka sqaruar për mediat se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, i nisur në fillim të prillit ka “përfunduar” armiqësitë mes palëve për qëllimet e afatit të parashikuar nga ligji amerikan “War Powers Act”. Ky ligj kufizon përdorimin e forcës ushtarake pa miratimin e Kongresit.
Sipas mediave amerikane, republikanët në Senat kanë kërkuar interpretim të qartë mbi afatin 60-ditor të këtij ligji. Ndërkohë, CNN raporton se Trump ka deklaruar se vetëm ai dhe një numër i vogël njerëzish e dinë gjendjen reale të bisedimeve me Iranin. Ai ka lënë të kuptohet se negociatat mund të jenë duke vazhduar, edhe pse publikisht duket sikur janë bllokuar.
Presidenti amerikan ka thënë se kontaktet po zhvillohen “me telefon” dhe se çdo përgjigje e tij do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të kufizuar programin bërthamor. Sipas CNN, ndërmjetësues nga Pakistani presin që Irani të paraqesë një propozim të rishikuar paqeje, pasi Trump ka refuzuar versionin e mëparshëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)