Orges Shehi është përzgjedhur si trajneri më i mirë i muajit prill në kampionatin “Abissnet Superiore” nga Drejtoria Teknike e FSHF. Tekniku i Tiranës regjistroi një muaj pozitiv në drejtimin e skuadrës, duke arritur dy fitore të rëndësishme ndaj Egnatias dhe Partizanit, si edhe dy barazime përballë Flamurtarit dhe Dinamo City, pa pësuar asnjë humbje.
Çmimi “Trajneri i Muajit” iu dorëzua Orges Shehit në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu. Në një prononcim për fshf.org, trajneri Shehi u shpreh i kënaqur për këtë vlerësim, duke theksuar se merita kryesore u takon lojtarëve për angazhimin dhe punën e tyre në fushë, që kanë bërë të mundur arritjen e rezultateve pozitive.
“Çdo vlerësim të bën të ndihesh krenar dhe ky çmim është për punën e të gjithë muajit dhe pavarësisht se e marr unë, i takon djemve që derdhin djersën në fushë dhe kanë bërë maksimumin e tyre që unë të marr këtë çmim individual, por merita është e tyre. Unë mendoj që ky është një çmim simbolik, nuk është se na jep një motivim më të madh”, deklaroi Shehi.
“Nuk është hera e parë që çdo trajner merr, pas një muaji, çmim edhe për shkak të rezultateve. Megjithatë, e rëndësishme është që të vazhdojmë këtë rrugë që kemi nisur, aq më tepër në këtë fazë delikate të sezonit dhe shpresoj të marrim më të mirën”, shtoi trajneri i Tiranës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)