“Kurrë sjellje të papërshtatshme!” Drejtuesja shqiptare mohon akuzat për abuzim seksual, JPMorgan krah saj: Janë sajesa

Burime të brendshme citojnë se Rana dhe Hajdini nuk kishin marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune dhe se drejtuesja nuk kishte ndikim në pagën apo bonuset e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën e pretendimeve.

01.05.2026. 13:34

“Kurrë sjellje të papërshtatshme!” Drejtuesja shqiptare mohon akuzat për abuzim seksual, JPMorgan krah saj: Janë sajesa

Një ish-punonjës i bankës amerikane JPMorgan Chase ka ngritur padi duke pretenduar se është abuzuar seksualisht nga një drejtuese ekzekutiv me origjinë shqiptare, Lorna Hajdini. Lajmi është raportuar nga “New York Post”, ndërsa banka i ka quajtur akuzat “tërësisht të pavërteta”. Sipas burimeve, denoncuesi është Chirayu Rana, 35 vjeç, aktualisht drejtues në një firmë investimesh.

Ai e ka depozituar padinë këtë javë nën pseudonimin “John Doe”, duke akuzuar Hajdinin se e ka detyruar në marrëdhënie seksuale përmes presionit dhe kërcënimeve. Akuzat u publikuan fillimisht nga “Daily Mail”, duke iu referuar dokumenteve gjyqësore, të cilat më pas u tërhoqën për “korrigjime”.

Në reagimin e saj, Lorna Hajdini theksoi: “Nuk kam lidhje me këto pretendime”. Përmes avokatëve të saj, drejtuesja me origjinë shqiptare i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se: “Nuk ka pasur kurrë sjellje të papërshtatshme, dhe nuk ka qenë asnjëherë në vendin ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja”.

Padia përfshin edhe vetë JPMorgan Chase, duke e akuzuar bankën për mosreagim dhe hakmarrje ndaj ankuesit. Megjithatë, institucioni financiar ka reaguar ashpër, duke theksuar se pas një hetimi të brendshëm të plotë, ku janë analizuar komunikimet dhe janë marrë dëshmi nga stafi, nuk është gjetur asnjë provë që mbështet pretendimet.

Foto nga web

“Hetimi nuk gjeti prova, janë sajesa”, njoftoi JPMorgan. Sipas bankës, ankuesi nuk ka bashkëpunuar me hetimin dhe nuk ka ofruar elementë të rëndësishëm për të mbështetur akuzat. Gjithashtu, burime të brendshme citojnë se Rana dhe Hajdini nuk kishin marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune dhe se Hajdini nuk kishte ndikim në pagën apo bonuset e tij, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën e pretendimeve.

Procesi ligjor është ende në fazë të hershme dhe nuk është caktuar ende një datë gjykimi. Rasti pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim dhe po konsiderohet një nga episodet më të komentuara së fundmi në botën financiare amerikane.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)