Frika e Luftës së Tretë Botërore, Trump zbulon detaje alarmuese nga telefonata “sekrete” me Putin

Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tregoi se gjatë telefonatës Putin i kishte përmendur përfshirjen në çështjen e “pasurimit” bërthamor. Trumi i kërkoi mbylljen e luftës në Ukrainë.

01.05.2026. 15:49

Frika e Luftës së Tretë Botërore, Trump zbulon detaje alarmuese nga telefonata “sekrete” me Putin

Tensionet globale kanë ngritur frikën për një përshkallëzim të mundshëm drejt një konflikti më të gjerë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka zbuluar detaje nga një bisedë telefonike e zhvilluar së fundmi me presidentin rus, Vladimir Putin. Deklaratat e shefit të Shtëpisë së Bardhë vijnë në një moment të ndjeshëm, teksa armëpushimi i brishtë mes SHBA-ve dhe Iranit vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm dhe negociatat e Teheranit me Moskën kanë shtuar dyshimet dhe presionin diplomatik.

Me Rusinë që vazhdon pushtimin e Ukrainës dhe Iranin që përballet me presion gjithnjë e më të madh nga SHBA, dy vendet janë afruar në javët e fundit, duke u shfaqur si aleatë të rinj në arenën ndërkombëtare. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, Putin deklaroi: “Do të bëjmë gjithçka që i shërben interesave tuaja dhe interesave të popujve të rajonit, për të siguruar që paqja të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Putin kishte ofruar më herët të ndërmjetësonte bisedimet e paqes, por komentet e fundit sugjerojnë një rol më aktiv të Rusisë në çështjet e Iranit dhe Lindjes së Mesme. Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, Trump tregoi se gjatë telefonatës Putin i kishte përmendur përfshirjen në çështjen e “pasurimit” bërthamor.

“Ai më tha se do të donte të përfshihej në pasurimin e uraniumit nëse mund të na ndihmojë ta zgjidhim. Unë i thashë: ‘Do të preferoja më tepër të ishit i përfshirë në përfundimin e luftës në Ukrainë’”, deklaroi Trump.

Sipas raportimeve, fjala “pasurim” i referohet ofertës së mëparshme të Putinit për të marrë rezervat e diskutueshme të uraniumit të pasuruar të Iranit dhe për t’i mbajtur ato në Rusi, si mënyrë për të ulur shqetësimet amerikane lidhur me zhvillimin e një arme bërthamore nga Teherani. Megjithatë, zyrtarë amerikanë thuhet se e kanë refuzuar këtë ide.

Trump tha se pjesa tjetër e bisedës ishte “shumë e mirë”, duke shtuar se Putin kishte diskutuar edhe mundësinë e një “armëpushimi të vogël”. Ai po ashtu pretendoi se lideri rus kishte vlerësuar vendimin e tij për të zgjatur armëpushimin me Iranin për t’i hapur rrugë negociatave të mëtejshme. Nga ana tjetër, një përfaqësues rus e përshkroi telefonatën si “miqësore, të drejtpërdrejtë dhe profesionale”, duke theksuar se ajo zgjati më shumë se një orë e gjysmë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)