Një episod i rëndë dhune ka ndodhur gjatë një ndeshjeje të kampionatit të vajzave 17-vjeçare në zonën e Torinos, në Itali. Një penallti e akorduar në minutat e fundit ka shkaktuar reagimin e ashpër të tifozëve vendas, shumë prej të cilëve ishin prindër të lojtareve në fushë. Sipas mediave lokale, ndeshja u zhvillua në Venaria dhe përfundoi me rezultatin 4-3 në favor të Torinos, falë golit të shënuar nga penalltia vendimtare.
Pas vërshëllimës përfundimtare, situata doli jashtë kontrollit. Disa tifozë të ekipit vendas tentuan të hynin në fushë duke kapërcyer rrjetat, ndërsa vajzat e tyre përpiqeshin t’i ndalonin, duke u kërkuar të ndalonin sjelljen e turpshme.
Arbitrja 16-vjeçare u shoqërua drejt dhomave të zhveshjes nga një drejtues i klubit vendas, por incidenti më i rëndë ndodhi në tribunë. Aty ndodheshin familjarët e saj, mes të cilëve edhe vëllai i vogël. Ata u sulmuan fillimisht me fjalë dhe më pas fizikisht nga tifozët. Nëna e arbitres u ofendua dhe u shty, ndërsa babai, që ndërhyri për ta mbrojtur, u godit me grusht dhe mbeti i plagosur në buzë.
Familja u detyrua të strehohej në dhomat e zhveshjes dhe të njoftonte karabinierët, pasi sipas raportimeve, drejtuesit e klubit vendas nuk e kishin bërë këtë pavarësisht kërkesave. Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ata u larguan nga qendra sportive përpara mbërritjes së forcave të rendit.
Gjykatësi sportiv, Armando Francia vendosi një gjobë prej 400 eurosh për klubin e Venarias, duke theksuar se ngjarja krijoi frikë, tension dhe panik për arbitren dhe familjen e saj. Megjithatë, masa u zbut pjesërisht për shkak të përpjekjeve të lojtareve për të qetësuar tifozët.
Nga ana tjetër, presidenti i klubit Venaria, Giovanni Pasquale dënoi ashpër çdo formë dhune, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme. Ai shprehu solidaritet për arbitren dhe familjen e saj dhe theksoi se klubi bazohet në vlera si respekti dhe korrektësia. Sipas tij, janë marrë masa ndaj personave përgjegjës dhe do të ndërmerren iniciativa për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)