Komisionerja për Zgjerim e Komisionit Europian, Marta Kos ka konfirmuar se Serbia nuk do të përfitojë fonde nga Plani i Rritjes për aq kohë sa mbeten në fuqi ligjet e debatueshme për gjyqësorin. “Për momentin i kemi pezulluar të gjitha pagesat. Kjo sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë”, deklaroi ajo gjatë një fjalimi në Universitetin e Friburgut, duke theksuar se pa përmirësime nuk do të ketë mbështetje financiare nga BE-ja.
Këto ligje, të miratuara në janar, konsiderohen nga Brukseli si hap prapa në procesin e integrimit dhe si cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Vlerësimet e Komisionit të Venecias kanë përforcuar shqetësimet, duke theksuar se ndryshimet kanë dobësuar autonominë e prokurorisë dhe duke dhënë rekomandime për korrigjimin e tyre.
BE kërkon pezullimin e zbatimit të ligjeve deri në rishikim të plotë, ndërsa fondet e Planit të Rritjes, nga të cilat Serbia parashikohet të përfitojë plotë 1,588 miliardë euro për periudhën 2024-2027 do të mbeten të bllokuara. “Transfertat varen nga progresi real në reforma”, kanë bërë të qartë institucionet europiane, duke sinjalizuar presion të shtuar ndaj Beogradit.
Në janar, Serbia mori pak më shumë se gjysmën e fondeve të alokuara nga kësti i parë i Planit të Rritjes. Për shkak se kishte përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e planifikuara, Beogradi mori vetëm 61,6 milionë euro nga 112 milionë euro që ishin planifikuar fillimisht.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)