Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thirrur partitë politike në një takim konsultativ për të diskutuar caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Takimi është planifikuar të mbahet këtë të enjte në orën 15:00, me qëllim harmonizimin e qëndrimeve rreth afatit për organizimin e zgjedhjeve.
Ftesa është konfirmuar edhe nga LDK, përmes zëdhënësit Besian Mustafa, i cili ka bërë të ditur se kjo parti do të përfaqësohet nga anëtarja e kryesisë Jehona Lushaku. Edhe PDK ka pranuar pjesëmarrjen në takim, por nuk ka bërë publik emrin e përfaqësuesit të saj.
Më herët, Haxhiu është takuar edhe me kreun e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Kreshnik Radoniqi, ku është diskutuar mundësia e datave për mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas propozimeve fillestare të KQZ-së, si datë e mundshme për zgjedhje të parakohshme është sugjeruar 7 qershori.
Nevoja për zgjedhje të reja u krijua pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, i cili përfundoi në mesnatën e 28 prillit. Ndërkohë, mandati i presidentes Vjosa Osmani kishte përfunduar më herët gjatë muajit prill. Pavarësisht negociatave politike, lideri i LVV-së Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke e çuar vendin drejt procesit të ri zgjedhor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)