Hapet komisariati i ri në Krujë, Hita: Fokus te krimi dhe armët pa leje

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari theksoi se modernizimi nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me rritjen e cilësisë së shërbimit.

29.04.2026. 21:57

Hapet komisariati i ri në Krujë, Hita: Fokus te krimi dhe armët pa leje

Në Krujë është inauguruar komisariati i ri i Policisë së Shtetit, në një ceremoni ku drejtuesit kërkuan rritje të standardeve të shërbimit dhe goditje më të fortë të krimit të organizuar. Në aktivitet morën pjesë Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ata vlerësuan investimin si një hap të rëndësishëm për forcimin e strukturave policore.

Lamallari theksoi se modernizimi nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me rritjen e cilësisë së shërbimit. “Kur flasim për modernizim, nuk është vetëm çështje objektesh, por edhe standardesh europiane dhe shërbimi cilësor për qytetarët”, u shpreh ai.

Ndërsa drejtori Skënder Hita kërkoi angazhim më të madh nga efektivët në terren, duke vënë theksin te lufta kundër krimit të organizuar. “Duhet punë profesionale për sigurimin e informacionit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin e trafikantëve dhe financuesve të kanabisit”, deklaroi Hita.

Ai u ndal edhe te personat në kërkim dhe armëmbajtja pa leje, duke përmendur një rast konkret. “Ka një person të shpallur në kërkim, që sa herë kontrollohet banesa e tij i gjenden armë dhe ende nuk është kapur”, tha drejtori i policisë. Sipas tij, prioritet mbetet edhe reagimi ndaj krimeve të tjera dhe shqetësimeve të qytetarëve.

“Armëmbajtja pa leje, krimet mjedisore dhe çdo problem i qytetarëve duhet të trajtohen me seriozitet maksimal”, shtoi Hita. Komisariati i ri, me mbi 2200 m² hapësira të rikonstruktuara, ofron kushte për rreth 140 efektivë, përfshirë ambiente për të miturit, prani mjekësore dhe ligjore, si dhe një sallë operative të pajisur me teknologji moderne për reagim më të shpejtë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)