127 vite burg për 12 të pandehur, SPAK jep pretencën për një fraksion të dosjes 'Revanshi'

Dosja “Revanshi” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, pasi lidhet me aktivitetin e grupeve kriminale të strukturuara dhe komunikimet e zbuluara përmes platformës SKY ECC.

29.04.2026. 15:45

127 vite burg për 12 të pandehur, SPAK jep pretencën për një fraksion të dosjes 'Revanshi'

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për një nga fraksionet e dosjes “Revanshi”, hetim që buron nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin Sky ECC dhe që përfshin akuza të rënda për grup të organizuar kriminal, përfshirë sigurimin e kushteve për kryerje vrasje.

Në këtë pjesë të procesit, Prokuroria ka kërkuar dënime për disa prej të pandehurve, ndërsa përfitimi nga gjykimi i shkurtuar ka sjellë uljen e masës së dënimit me një të tretën për shumë prej tyre.

PRETENCA E SPAK PER 12 TE PANDEHUR:

  • Astrit Avdyli - 15 vite burg, zbret në 10 vite
  • Emiljano Shullazi - 15 vite burg, zbret në 10 vite
  • Naim Stafuka - 9 vite, zbret në 6 vite
  • Blerim Abazi - 10 vite, zbret në 6.8 vite
  • Besian Xhixha - 10 vite, zbret në 6.8 vite
  • Enver Diva: - 10 vite, zbret në 6.8 vite
  • Robert Laçi - 10 vite, zbret në 6.8 vite
  • Gjergj Cukali - 10.6 vite, zbret në 7 vite
  • Viktor Imeraj - 10 vite, zbret në 6.8 vite
  • Satilno Basho - 10 vite, zbret në 6.8
  • Miri Bruli - 9 vite zbret, në 6 vite
  • Xhelal Rraja - 9 vite burg, zbret në 6 vite

Në seancën e parë gjyqësore për këtë fraksion të hetimit janë përfshirë të pandehurit Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi. Nga të gjithë, në sallë ishte i pranishëm vetëm Jozi Kraja, i cili kërkoi që procesi të vijojë me gjykim të shkurtuar.

Seanca u karakterizua nga mungesa të shumta si të të pandehurve, ashtu edhe të mbrojtësve ligjorë. Aldo Avdyli deklaroi se do të përfaqësohet nga avokati Dritan Jahja, por ky i fundit mungoi. Edhe Oltion Zefi dhe avokati i tij Elis Bilali nuk ishin të pranishëm. Henerigert Mitri mungoi, por u përfaqësua nga avokati Ardian Leka, ndërsa Marklen Haka nuk ishte prezent, edhe pse mbrojtësi i tij Erjon Kullolli mori pjesë në seancë. Altin Morina mungoi po ashtu, ndërsa avokati i tij raportoi probleme shëndetësore.

Durim Bami nuk ishte në sallë, por u përfaqësua nga avokati Ilir Murati, i cili mbështeti kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Në cilësinë e viktimës së veprës penale ishte thirrur Gjergj Mihasi, babai i Erigers Mihasit, i cili kërkoi të përjashtohet nga seancat e mëtejshme për shkak të gjendjes shëndetësore, duke deklaruar se i beson vendimmarrjes së gjykatës.

Përballë këtyre mungesave, SPAK kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se vijimi normal i procesit ishte i pamundur pa praninë e plotë të palëve. Gjykata vendosi të urdhërojë shoqërimin e të pandehurve të arrestuar dhe miratoi pezullimin e afateve të paraburgimit, ndërsa seanca e radhës u caktua më 6 maj, ora 11:00.

Dosja “Revanshi” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, pasi lidhet me aktivitetin e grupeve kriminale të strukturuara dhe komunikimet e zbuluara përmes platformës SKY ECC.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)