Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të mërkurë në firmosjen e marrëveshjes strategjike mes kompanisë italiane Fincantieri dhe agjencisë shtetërore shqiptare KAYO për krijimin e një sipërmarrjeje të re në kantierin e Pashalimani, ku do të prodhohen anije lundruese për Forcat e Armatosura shqiptare dhe për vendet aleate.
Rama e cilësoi marrëveshjen si një hap historik për industrinë ushtarake dhe ekonominë shqiptare, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij investimi.
“Është një marrëveshje me Fincantieri-n për të krijuar një shoqëri të re nga ‘Fincantieri Albania’, së bashku me agjencinë tonë shtetërore të ‘Kayos’ për të prodhuar po në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit anije lundruese që janë në dobi të ushtrisë shqiptare, por edhe për ushtritë e tjera të vendeve aleate. Është vetëm fillimi. Shqipëria duhet të përshtatet për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël, por krenar në aleancën Transatlantike, ku ne bëjmë pjesë”, tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se kjo nismë përfaqëson jo vetëm një investim industrial, por edhe një vizion të ri për zhvillimin teknologjik në sektorin e mbrojtjes.
“Ajo që e bën këtë marrëveshje një marrëveshje të veçantë është edhe ajo që tha drejtuesi i lartë i Fincantierit, duke theksuar se bota e kantiereve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon të përcaktojë pikërisht një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, diçka të veçantë, diçka speciale, e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin tonë.”
Rama u ndal edhe tek përfitimet për të rinjtë shqiptarë, veçanërisht për nxënësit e shkollës industriale në Vlorë, të cilët do të përfshihen në programe të posaçme formimi profesional.
“Kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë, për vajzat e djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët që do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë nesër, në një të ardhme shumë të afërt, pjesëmarrës të kësaj shoqërie të re ekselence në qytetin e tyre”, shpjegoi kryeministri.
Sipas Ramës, Shqipëria do të jetë përfituesja e parë direkte e kësaj marrëveshjeje, me ndërtimin e dy anijeve të para për flotën tonë detare.
“Do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë në mënyrë konkrete, nga dy anijet e para që do të ndërtohen për Forcat tona të Armatosura dhe që do të çojnë në shtatë numrin total të flotës tonë, një numër optimal për peshën dhe përgjegjësinë e Shqipërisë në Mesdhe”, bëri me dije shefi i qeverisë.
Ai shtoi se prodhimi nuk do të kufizohet vetëm për nevojat kombëtare, por do të shtrihet edhe në eksport. “Më pas prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim do të implementohet”, tha Rama.
Rama kujtoi gjithashtu se ideja për përfshirjen e Fincantieri-t në Shqipëri daton që nga fillimi i mandatit të tij si kryeministër.
“Një nga vizitat e para jashtë Shqipërisë si kryeministër i ri ishte në selinë e Fincantieri-t dhe aty kam vendosur para grupit drejtues kantierin e Pashalimanit, duke thënë se ndoshta do të ishte interesante të shikonim mundësinë për të hapur një filial për kërkimin dhe inovacionin.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)