PD thërret me 30 maj Kuvendin Kombëtar, çel garën për kryetarin

Partia Demokratike ka vendosur thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj 2026, në orën 11:00. Në vendimin e bërë publik, është përcaktuar edhe rendi i ditës.

29.04.2026. 14:58

PD thërret me 30 maj Kuvendin Kombëtar, çel garën për kryetarin

Partia Demokratike ka vendosur thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj 2026, në orën 11:00. Në vendimin e bërë publik, është përcaktuar edhe rendi i ditës.

Vendimi për thirrjen e Kuvendit është marrë në mbështetje të Statutit të partisë dhe parashikon diskutime mbi situatën politike në vend, sfidat e integrimit evropian, si dhe çështje që lidhen me funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Në fokus do të jetë edhe përcaktimi i vijës së aksionit politik të PD-së, ndërsa pritet prezantimi i ndryshimeve statutore nga grupet e punës përkatëse.

Në axhendë përfshihen platforma për dixhitalizimin dhe modernizimin e partisë, si dhe organizimi i strukturave të saj në diasporë.

Gjatë këtij Kuvendi do të zgjidhen dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Sakaq, Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili ka përcaktuar edhe kriteret dhe afatet për kandidatët.

Sipas dokumentit zyrtar, procesi bazohet në nenet përkatëse të statutit të partisë dhe në vendimin e Kryesisë së PD-së të datës 17 mars 2026. Afati për dorëzimin e kërkesave për kandidim është caktuar data 30 prill 2026, ora 12:00.

Sipas shkresës kandidatët që synojnë drejtimin e Partisë Demokratike duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara qartë. Mes tyre përfshihet detyrimi për të qenë anëtarë të PD-së me një profil të lartë publik dhe politik, si dhe me një angazhim të paktën 10-vjeçar në parti. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.

Një tjetër kusht i vendosur është përmbushja e kritereve të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike.

Dokumentacioni për kandidim duhet të dorëzohet pranë KOKOE dhe përfshin kërkesën me shkrim, shprehjen e interesit dhe curriculum vitae, ndërsa kërkohet gjithashtu edhe formulari i plotësuar i pastërtisë së figurës.

Vendimi mban firmën e kryetares së komisionit, Albana Vokshi, dhe hyn në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë një gare të re për drejtimin e Partisë Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)