Bashkia e Tiranës audit për sigurinë e pallateve pas incidentit te “Farmacia 10”

Sipas Ristanit, këto kontrolle do të kryhen në mënyrë të njëjtë si për objektet që kalojnë procedurat e plota të certifikimit dhe kolaudimit.

29.04.2026. 12:27

Bashkia e Tiranës audit për sigurinë e pallateve pas incidentit te “Farmacia 10”

Bashkia e Tiranës ka njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për forcimin e masave të sigurisë kundër zjarrit në ndërtesat e kryeqytetit, pas incidentit të rëndë në zonën e “Farmacisë 10”, ku një zjarr në një pallat shkatërroi 71 apartamente, por fatmirësisht pa viktima në njerëz.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, zhvilloi një takim me strukturat e emergjencave civile, Policinë Bashkiake dhe shërbimin zjarrfikës, ku vlerësoi reagimin e shpejtë dhe të koordinuar që mundësoi evakuimin e banorëve dhe shmangien e humbjeve në jetë.

Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës ka vendosur të nisë një proces të zgjeruar kontrolli për të gjitha objektet që janë pajisur me leje ndërtimi nga bashkia, por që nuk kanë kaluar plotësisht në të gjitha fazat e verifikimit të sigurisë, veçanërisht për mbrojtjen nga zjarri.

Sipas Ristanit, këto kontrolle do të kryhen në mënyrë të njëjtë si për objektet që kalojnë procedurat e plota të certifikimit dhe kolaudimit, duke synuar garantimin e standardeve të sigurisë në çdo ndërtesë.

Ajo sqaroi gjithashtu se aktualisht kontrollet e sigurisë nga zjarri zbatohen kryesisht për bizneset, ndërsa për banesat përgjegjësia bie edhe mbi administratorët e pallateve, të cilët duhet të sigurojnë mirëmbajtjen dhe respektimin e rregullave të sigurisë.

Në fund, Bashkia bëri të ditur se rezultatet e këtyre kontrolleve do të raportohen në institucionet përkatëse dhe do të shërbejnë për marrjen e masave të mëtejshme parandaluese.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)