Policia e Lezhës ka gjetur edhe automjetin tip "Audi A4", që u përdor nga autorët e vrasjes së bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.
Në mjet janë gjetur edhe dokumente të dy autorëve, nga familja Mëhillaj. Ky zbulim nga uniformat blu vjen 24 orë pas gjetjes në fshatin Torovicë të një automjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i dyshuar po ashtu si i përdorur nga autorët gjatë krimit.
Brenda mjetit të gjetur ditën e djeshme u zbuluan dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti paraqitej i dëmtuar në pjesën e pasme dhe anësore. Në të njëjtin ambient, në banesën e shtetasit B. K., u konstatua edhe një automjet tjetër identik me targa të rregullta, çka ka ngritur dyshime se mund të jetë përdorur për të maskuar gjurmët e atentatit. Po ashtu, në oborr u sekuestruan veshje të dyshuara si të përdorura nga autorët, si dhe një palë targa.
Nga hetimet paraprake rezulton se një prej të dyshuarve, shtetasi F. M., kishte marrë automjetin që motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas. Pasi i kishte hequr targat, ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë e përdori mjetin për t’i prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre. Pas krimit, automjeti është fshehur në oborrin e banesës, i mbuluar me bar.
Policia më herët kishte njoftuar se vrasja e çiftit Mujeci kishte motive hakmarrje, pasi viktima dyshohej si i përfshirë në vrasjen e Gegë Mhillaj në vitin 2016. Djali i këtij të fundit, Renato Mhillaj është një nga autorët e dyshuar të atentatit, së bashku me të afërmit e tij, Adriano Mhillaj (22 vjeç) dhe Florin Mhillaj (36 vjeç).
NJOFTIMI I PLOTË:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe kontrollet në terren për sigurimin e të gjitha provave që shërbejnë për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren, të kryera nga shërbimet, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali, u gjet një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është i përfshirë në dinamikën e ngjarjes dhe se është përdorur nga bashkautorët, të cilët kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.
Gjatë këqyrjes së tij, brenda automjetit u gjetën dokumentacione që u përkisnin autorëve të shpallur në kërkim. Me qëllim kryerjen e verifikimeve më të specializuara, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.
Ndërkohë, në mënyrë intensive dhe të pandërprerë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)