Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i rëndë i ndodhur ditën e djeshme në Balldren të Lezhës, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët dyshohet se kanë përdorur dy automjete për realizimin e ekzekutimit, një prej të cilave një makinë e zezë pa targa, që besohet se i ka prerë rrugën automjetit të viktimave. Pas bllokimit të lëvizjes së tyre, autorët kanë hapur zjarr me breshëri automatiku, duke qëlluar mbi 30 herë drejt çiftit.
Hetimet paraprake tregojnë se Kreshnik Mujeci është ndjekur për një distancë të konsiderueshme nga autorët, të cilët kanë zgjedhur momentin e përshtatshëm për të kryer sulmin fatal. Një pjesë e plumbave kanë goditur edhe zonën përreth, duke dëshmuar intensitetin e breshërisë së sulmit.
Autoritetet po hetojnë në disa pista, përfshirë hakmarrjen, konfliktet personale dhe përplasjet e mëparshme të viktimës. Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se pista e gjakmarrjes nuk është e vetmja, ndërsa po verifikohen edhe konflikte të tjera të mundshme që mund të kenë çuar në këtë ngjarje të rëndë.
Kreshnik Mujeci njihej në zonë si person me precedentë konfliktualë, çka ka shtyrë grupin hetimor të analizojë të kaluarën e tij dhe lidhjet me ngjarje të mëparshme. Deri më tani, nuk raportohet për persona të shoqëruar apo të arrestuar, ndërsa policia vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të ekzekutimit.
Sakaq, familjarët kanë hapur dyert e mortit pranë banesës së tyre në fshatin Koljakaj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)