Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e një prej projekteve më të mëdha energjetike në rajon, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje strategjike 20-vjeçare me vlerë 6 miliardë dollarë mes ALBGAZ, kompanisë amerikane Venture Global dhe kompanisë greke Aktor LNG, që synon furnizimin e Europës Jugore me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja e firmosur këtë të mërkurë në Kryeministri parashikon krijimin e një infrastrukture të re energjetike në Vlorë, ku gazi i lëngshëm amerikan do të transportohet me anije drejt Shqipërisë, për t’iu nënshtruar procesit të rigazifikimit dhe më pas për t’u shpërndarë në tregun shqiptar dhe rajonal.
Projekti përfshin gjithashtu rivitalizimin e qendrës energjetike të Vlorës, transformimin e termocentralit ekzistues, shtimin e një kapaciteti të ri gjenerues prej rreth 250 MW, si dhe ndërtimin e tubacionit Fier-Vlorë, që do të lidhë këtë nyje strategjike me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si pjesë të transformimit historik të sektorit energjetik shqiptar, duke kujtuar vështirësitë e së kaluarës dhe objektivat ambiciozë të së ardhmes.
“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keqmenaxhuar dhe e vjedhur. OSHEE deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së. Sot energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë. Të arrijmë që brenda këtij mandati të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë. Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike”, deklaroi Rama.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila vlerësoi projektin si një shtyllë të rëndësishme të strategjisë energjetike amerikane dhe të bashkëpunimit rajonal.
“Ky ndërveprim forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare. Në sektorin energjetik, siguria dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Presidenti Trump ka qenë kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike. Administrata Trump e ka ngritur si një shtyllë në mbarë botën. Ndërsa flasim për fuqi rajonale, dua të pranoj rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi. Janë më shumë se fqinjë të afërt dhe bashkëpunim ekonomik. Kur SHBA-të, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, i gjithë rajoni përfiton”, u shpreh Guilfoyle.
Sipas ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ky projekt synon të forcojë sigurinë energjetike kombëtare dhe atë të të gjithë rajonit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor të rëndësishëm në hartën energjetike të Ballkanit.
“Siguria energjetike ka lëvizur dhe është në krye të agjendës sonë kombëtare. Për Shqipërinë do të thotë që të merren hapa konkrete për të forcuar energjizimin dhe për të ndërtuar një sistem që është i qëndrueshëm dhe i orientuar nga e ardhmja. Në këtë kontekst, Shqipëria po merr hapa për të transformuar sistemin e saj energjetik. Në zemër të këtij transformimi qëndron partneriteti ynë strategjik me SHBA, për të ndërtuar një të ardhme energjetike të qëndrueshme. Një shtyllë e vizionit është transformimi i qendrës së Vlorës, i cili është një nga komponentët që do të përcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike. Sjell disa elemente kyçe: së pari, rijetëzimi i impiantit të Vlorës; së dyti, zbatimi i kapaciteteve të brezit të dytë dhe së treti riklasifikimi i infrastrukturës. Po kështu edhe ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, të transmetimit të gazit. Të gjitha këto krijojnë një siguri që do të rrisë kapacitetin prodhues të energjisë në Shqipëri. Do të diversifikojnë kombinimin energjetik. Qendra e re e Vlorës do të pozicionojë vendin tonë si një portë strategjike në rajonin e Ballkanit, duke e lidhur importin e gazit”, tha ai.
Marrëveshja konsiderohet një hap i madh strategjik jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për rolin gjeopolitik të vendit. Përmes këtij projekti, Shqipëria synon të forcojë pozicionin e saj si qendër kyçe energjetike, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të gazit për Europën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)