Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për dosjen që përfshin ish-shefin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, duke e shpallur atë të pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi sipas togave të zeza nuk u provua kryerja e veprës penale.
Ndërkohë, për personat e tjerë të përfshirë në çështje, gjykata vendosi dënime me burg dhe shërbim prove. Edison Tabaku u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua në 2 vite burg.
Sokol Navaku mori gjithashtu 3 vite burg, të ulura në 2 vite me gjykim të shkurtuar, ndërsa dënimi iu konvertua në shërbim prove, ndërsa Erges Vrioni u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u reduktua në 1 vit dhe u konvertua në shërbim prove për një periudhë dyvjeçare.
Po ashtu, Blendi Bela u shpall fajtor për moskallëzim krimi dhe u dënua me 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar u ul në 8 muaj, duke u konvertuar gjithashtu në shërbim prove.
Çështja lidhet me një aksident rrugor të ndodhur më 16 prill 2025 në Tiranë, ku ishte përfshirë shtetasja Anisa Vrioni. Sipas hetimeve, pas aksidentit, oficeri Edison Tabaku, në bashkëpunim me drejtues të tjerë policorë, dyshohet se kërkoi dhe mori 200 mijë lekë për të shmangur arrestimin e saj.
Sipas dosjes hetimore, ndërhyrje në këtë rast ka pasur edhe nga persona të afërt me familjen, përfshirë pagesa të tjera financiare me qëllim ndikimin në procedurat ligjore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)