Një veprim që shumë pasagjerë e bëjnë pa e menduar, si mbajtja hapur e dritares së avionit gjatë ngritjes dhe uljes, ka në fakt një rëndësi të madhe për sigurinë.
Sipas ekspertëve të aviacionit, kjo praktikë ndihmon që sytë e pasagjerëve të përshtaten me dritën e jashtme. Në këtë mënyrë, në rast emergjence, shmanget kalimi i menjëhershëm nga errësira në dritë ose anasjelltas, çka mund të shkaktojë humbje të përkohshme të shikimit.
Një tjetër arsye lidhet me faktin se ngritja dhe ulja janë momentet më kritike të fluturimit. Të dhënat tregojnë se shumica e incidenteve ajrore ndodhin pikërisht gjatë këtyre fazave, ndaj çdo masë paraprake konsiderohet thelbësore.
Mbajtja hapur e dritares u jep gjithashtu mundësi ekuipazhit të vëzhgojë jashtë në rast problemi, si tym, zjarr apo dëmtime në avion. “Në rast emergjence, duhet të shohim jashtë për të kuptuar nëse daljet janë të sigurta. Nëse ka zjarr, mbetje apo ujë, nuk do ta përdorim atë dalje dhe do të drejtojmë pasagjerët diku tjetër”, shpjegon një stjuardesë.
Po ashtu, dritaret e hapura ndihmojnë edhe ekipet e shpëtimit nga jashtë të vlerësojnë më shpejt situatën brenda kabinës.
Kjo procedurë e thjeshtë është pjesë e masave që synojnë të garantojnë një evakuim sa më të shpejtë dhe të sigurt në rast rreziku.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)