Vritet ministri i Mbrojtjes në Mali, i çojnë kamionin e mbushur me tritol te shtëpia

Një valë sulmesh të koordinuara nga grupe xhihadiste dhe separatistë ka tronditur Malin, ndërsa raportohet se ministri i Mbrojtjes, Sadio Camara, është vrarë në një atentat pranë kryeqytetit Bamako.

Burimi: BBC

26.04.2026. 20:31

Vritet ministri i Mbrojtjes në Mali, i çojnë kamionin e mbushur me tritol te shtëpia

Një valë sulmesh të koordinuara nga grupe xhihadiste dhe separatistë ka tronditur Malin, ndërsa raportohet se ministri i Mbrojtjes, Sadio Camara, është vrarë në një atentat pranë kryeqytetit Bamako.

Sipas mediave ndërkombëtare dhe familjarëve të tij, Camara dyshohet se humbi jetën pas një sulmi me kamion-bombë në banesën e tij në Kati, një zonë e rëndësishme ushtarake. Nga shpërthimi raportohet se janë vrarë edhe disa anëtarë të familjes së tij. Deri më tani, autoritetet ushtarake në vend nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar.

Sulmet janë shtrirë në disa qytete, përfshirë Gao, Kidal, Mopti dhe Sevare, duke e bërë këtë një nga ofensivat më të mëdha të viteve të fundit. Ekspertët e sigurisë e cilësojnë situatën si sulmin më të koordinuar xhihadist në Mali prej kohësh.

Ndërkohë, raportime të tjera bëjnë të ditur se kreu i juntës ushtarake, gjenerali Assimi Goita, është zhvendosur në një vend të sigurt pasi rezidenca e tij u vu në shënjestër.

Në veri të vendit, përplasjet mes forcave qeveritare, mercenarëve rusë dhe grupit separatist Fronti për Çlirimin e Azawadit kanë vijuar me intensitet. Ky i fundit pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit Kidal dhe se forcat ruse janë tërhequr pas një marrëveshjeje, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Mali prej vitesh përballet me kryengritje të armatosura nga grupe të lidhura me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik, si dhe me lëvizje separatiste në veri të vendit, duke e mbajtur rajonin në një gjendje të vazhdueshme pasigurie.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)