Egnatia ka pësuar një tjetër humbje të papritur në Superiore, ndërsa Vora dhe Bylisi kanë marrë fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Skuadra e Egnatias vijon momentin negativ, duke u mposhtur 0-2 në shtëpi nga Vora, një disfatë që vjen pas humbjeve ndaj Tiranës dhe Flamurtarit. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë, ku Kasalla përfitoi nga një gabim i portierit për të shënuar golin e parë, ndërsa më pas dyfishoi shifrat nga pika e bardhë. Pavarësisht përpjekjeve në pjesën e dytë dhe aktivizimit të tre sulmuesve, Egnatia nuk arriti të rikthehej në lojë, duke humbur terren edhe në garën për titull.
Nga ana tjetër, Vora siguroi tre pikë jetike, duke mbajtur ritmin me rivalët direkt për mbijetesë. Ndërkohë, një tjetër rezultat i rëndësishëm u regjistrua në Ballsh, ku Bylisi mposhti Teutën me rezultatin 2-0.
Emini zhbllokoi ndeshjen që në minutën e tretë, ndërsa Kamara vulosi fitoren në minutat shtesë. Teuta pati mundësi për të barazuar, por një gol i shënuar u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje, duke lënë durrsakët pa pikë.
Me këtë fitore, Bylisi barazohet me 35 pikë me Tiranën dhe Vorën, ndërsa Teuta futet seriozisht në garën për mbijetesë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)