“Nxirrni Veliajn nga kafazi”, avokati i kryebashkiakut të Tiranës akuza GJKKO për shkelje të Kushtetutës

Në një reagim në rrjetet sociale, avokati Plarent Ndreca deklaroi se seanca e fundit nxori në pah probleme serioze mbi standardet e procesit. “Hapni provat. Hapni kafazin. Hapni kamerat", shkruan Ndreca, duke përmbledhur tri kërkesat kryesore të mbrojtjes.

28.04.2026. 13:22

“Nxirrni Veliajn nga kafazi”, avokati i kryebashkiakut të Tiranës akuza GJKKO për shkelje të Kushtetutës

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të GJKKO për të rrëzuar tri kërkesat e mbrojtjes, administrimin e 35 fashikujve me prova digjitale, transmetimin live të procesit gjyqësor dhe nxjerrjen e tij nga kafazi i qelqtë gjatë seancave.

Në një reagim në rrjetet sociale, avokati Plarent Ndreca deklaroi se seanca e fundit nxori në pah probleme serioze mbi standardet e procesit. “Hapni provat. Hapni kafazin. Hapni kamerat", shkruan Ndreca, duke përmbledhur tri kërkesat kryesore të mbrojtjes.

Sipas tij, gjykata refuzoi të verifikojë ekzistencën dhe administrimin real të provave digjitale, të cilat sipas mbrojtjes mbeten të pahapura dhe të pashqyrtuara.

“Kërkuam që gjykata të sillte në sallë 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura. Prova që nuk janë hapur, nuk janë parë dhe nuk janë vlerësuar, megjithatë mbi to është marrë vendim”, shprehet Ndreca.

Ai kritikoi gjithashtu vendimin për të mos lejuar transmetimin live të seancave, duke argumentuar se kjo bie ndesh me parimet e transparencës dhe standardet kushtetuese.

“Seanca ekspozoi një rrezik real: një drejtësi që shmang përballjen me faktet dhe të vërtetën”, shkruan ai.

Ndreca reagoi edhe ndaj refuzimit për largimin e Veliajt nga kafazi i qelqtë i sigurisë, duke e konsideruar këtë si cenim të dinjitetit dhe të barazisë procedurale. “U refuzua e drejta e z. Veliaj për të qenë në kushte dinjitoze dhe të barabarta me palën tjetër”, thotë avokati.

Ndërkohë, GJKKO argumentoi se transmetimi live nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së pëlqimit nga të gjithë të pandehurit, ndërsa prokuroria, e përfaqësuar nga ish-kreu i SPAK Altin Dumani, theksoi se praktika të tilla mund të rrezikojnë mbrojtjen e dëshmitarëve dhe integritetin e procesit penal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)