GJKKO rrëzon Veliajn, nuk ka gjyq live! Avokati kërkon përgjimet me CD e USB: Nxirreni nga kafazi

Veliaj, i cili ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Ky i fundit insistoi se transmetimi live ishte i domosdoshëm për transparencëndhe garantimin e informimit të qytetarëve mbi procesin.

27.04.2026. 14:20

GJKKO rrëzon Veliajn, nuk ka gjyq live! Avokati kërkon përgjimet me CD e USB: Nxirreni nga kafazi

Seanca e radhës gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të transmetohet live për publikun, pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e paraqitur nga mbrojtja.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, e cila argumentoi se transmetimi nuk mund të realizohet për shkak se dy prej të pandehurve në proces, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk dhanë pëlqimin e tyre.

Veliaj, i cili ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Ky i fundit insistoi se transmetimi live ishte i domosdoshëm për transparencën publike dhe garantimin e informimit të qytetarëve mbi procesin.

Gjatë seancës pati debat të fortë mes mbrojtjes dhe ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili si prokuror i çështjes argumentoi se transemtimi live i seancave mund të çojë në ekspozimin e dëshmitarëve dhe kjo praktikë është e ndaluar si në vendet e rajonit dhe në BE e SHBA.

“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen. Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor”, tha Dumani.

Nga ana tjetër, Plarent Ndreca ngriti shqetësime për aksesin në provat hetimore dhe trajtimin procedural të klientit të tij, edhe pse në burgun e Durrësit, Veliajt i janë dorëzuar 28 mijë faqe me materiale të dosjes së SPAK, për të cilën ai është marrë i pandehur.

“Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe nuk kemi CD-të. Kemi vetëm disa procesverbale që, sipas nesh, janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin. Kërkojmë që të na vihen në dispozicion, në formë të dixhitalizuar, të gjithë fashikujt hetimorë”, tha Ndreca.

Sipas mbrojtjes, ekzistojnë të paktën 35 fashikuj me materiale digjitale, përfshirë CD dhe USB, që nuk janë hapur ende dhe nuk janë vlerësuar në fazën paraprake.

“Janë 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze procedurale.”

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës kërkoi gjithashtu që Veliaj të mos qëndrojë në kafazin e qelqit gjatë seancave gjyqësore. “Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku nuk pati asnjë problem. Në të kundërt, cenohet barazia në proces. Merrni masa për këtë”, apeloi Ndreca.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Erion Veliajt 13 akuza, ku përfshihen korrupsioni pasiv në nëntë raste, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që më pas kanë marrë leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)