Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se po vijon shpërndarja e aboneve falas për pensionistët, duke theksuar se janë marrë masa shtesë për të përmirësuar dhe lehtësuar procesin. Në një njoftim zyrtar, autoritetet lokale sqaruan se sistemi aktual i shpërndarjes po menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në terren janë angazhuar edhe vullnetarë për të ndihmuar pensionistët gjatë aplikimit dhe pajisjes me abone.
Bashkia bëri me dije se po punohet për një ridizenjim të plotë të sistemit të shpërndarjes, me synim kalimin drejt një shërbimi më modern dhe eliminimin e procedurave fizike. Sipas njoftimit, ky proces kërkon kohë, por puna për realizimin e tij ka nisur.
Autoritetet theksuan se abonetë do të vazhdojnë të ofrohen falas për pensionistët dhe se është rritur edhe numri i tyre për të shmangur mungesat. Sipas Bashkisë, rritja e kërkesës lidhet me faktin se ky është një shërbim me aplikim dhe jo i detyrueshëm, çka sjell fluks të shtuar në orare të caktuara. Për shkak të temperaturave të larta, janë vendosur çadra dhe karrige në pikat e shpërndarjes për të krijuar kushte më komode pritjeje për qytetarët.
Në fund, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke theksuar se numri i aboneve të prodhuara është më i lartë se kërkesa aktuale dhe se shërbimi do të vijojë të përmirësohet në funksion të përfituesve.
NJOFTIMI I BASHKISË TIRANË:
Bashkia e Tiranës informon të gjithë pensionistët se, me sistemin aktual të shpërndarjes së aboneve falas, po merren të gjitha masat e nevojshme që procesi të zhvillohet në mënyrë sa më të koordinuar, të rregullt dhe pa vonesa. Për të lehtësuar sa më shumë qytetarët, janë angazhuar edhe vullnetarë në terren, të cilët asistojnë pensionistët gjatë procedurës së pajisjes me abonetë falas.
Paralelisht, Bashkia e Tiranës është duke punuar për ridizenjimin e të gjithë sistemit të shpërndarjes, me qëllim që ky shërbim të bëhet më efikas dhe të shmanget procedura fizike që ndiqet aktualisht. Synimi është që procesi të modernizohet dhe të ofrohet me më shumë lehtësi për çdo përfitues. Ky transformim kërkon kohën e vet, por puna ka nisur dhe jemi në rrugën e duhur për ta përfunduar sa më parë.
Abonetë do të vijojnë të jenë falas për pensionistët. Gjithashtu, janë marrë masa për rritjen e numrit të aboneve të prodhuara, në mënyrë që të mos ketë mungesa dhe të përfitojnë sa më shumë pensionistë që kërkojnë këtë shërbim. Sa më shumë promovohet ky shërbim, aq më shumë rritet edhe numri i përdoruesve dhe pensionistëve që aplikojnë për ta përfituar. Duke qenë se është një shërbim që ofrohet me kërkesë dhe jo i detyrueshëm, kjo sjell edhe fluks të shtuar aplikimesh në orare të caktuara.
Me rritjen e temperaturave, Bashkia e Tiranës ka marrë masa shtesë për vendosjen e çadrave në shërbim të pensionistëve, si dhe karrige për pritje, në mënyrë që ata të qëndrojnë në kushte sa më komode dhe procesi i pajisjes me kartën e abonesë të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme. Duke qenë se numri i aboneve të prodhuara është më i lartë se kërkesa aktuale, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë pensionistëve, me bindjen se ky shërbim do të vijojë të përmirësohet dhe të ofrohet me standarde gjithnjë e më të mira.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)