Vizita shtetërore e mbretit Charles III dhe mbretëreshës Camilla në Shtetet e Bashkuara ka hyrë në një moment kulmor, pasi çifti mbretëror është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump, në një ceremoni me rëndësi të veçantë simbolike dhe politike.
Në ditën e dytë të vizitës, mbreti dhe mbretëresha morën pjesë në një pritje zyrtare me nderime ushtarake, ndërsa në oborrin e Shtëpisë së Bardhë u zhvillua një paradë ushtarake me pjesëmarrjen e forcave tokësore, marinës, aviacionit dhe për herë të parë edhe të Forcave Hapësinore amerikane. Pavarësisht kushteve të pafavorshme të motit, ceremonia u ndoq nga zyrtarë të lartë dhe qytetarë që valëvitnin flamujt e dy vendeve.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Trump theksoi marrëdhënien e veçantë historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kujtuar sakrificat e përbashkëta dhe rrënjët e thella të bashkëpunimit. “Kur mendoni për luftërat e vështira që janë zhvilluar, sot ato janë shndërruar në një miqësi të fortë. Luftëtarët e dikurshëm janë bërë vëllezër”, u shpreh ai.
Trump gjithashtu bëri homazhe për mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II, duke theksuar simbolikën e trashëgimisë së saj dhe rolin në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Ai ndau edhe kujtime personale, duke përmendur admirimin e nënës së tij për familjen mbretërore britanike.
Vizita përfshin një sërë aktivitetesh të rëndësishme diplomatike, përfshirë një takim bilateral mes Trump dhe mbretit Çarls III, si dhe një fjalim historik që pritet të mbahet nga mbreti në Kongresin amerikan. Në këtë fjalim, ai pritet të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe forcimit të partneritetit transatlantik në një kohë tensionesh globale.
Kjo vizitë konsiderohet një sfidë e madhe diplomatike për mbretin dhe një moment kyç për marrëdhëniet mes dy aleatëve historikë, duke synuar të përcjellë mesazhe uniteti dhe stabiliteti në skenën ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)