Gruri “i vjedhur” nga Rusia nxit tensione ndërmjet Ukrainës dhe Izraelit

Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike nuk mund të bazohen në deklarata publike apo në rrjete sociale dhe çdo çështje do të hetohet nga autoritetet përkatëse.

28.04.2026. 18:06

Gruri “i vjedhur” nga Rusia nxit tensione ndërmjet Ukrainës dhe Izraelit

Rriten tensionet diplomatike ndërmjet Ukrainës dhe Izraelit, pas akuzave të Kievit se gruri i marrë nga territore ukrainase të pushtuara dhe i transportuar nga Rusia po blihet nga kompanitë izraelite. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se blerja e këtyre drithërave nuk mund të konsiderohet “aktivitet tregtar legjitim”. Sipas tij, një anije tjetër me grurë të tillë ka mbërritur në një port në Izrael dhe po përgatitet të shkarkojë ngarkesën.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha thirri ambasadorin e Izraelit në Kiev dhe paralajmëroi nota proteste zyrtare. Ukraina pretendon se anije të tjera, të lidhura me transportin e grurit nga territoret e pushtuara, kanë mbërritur më herët në portin e Haifës. Kievi thekson se çdo grurë i prodhuar në territoret e aneksuara nga Rusia pas vitit 2014 në Krime dhe pas pushtimit të vitit 2022 në rajonet lindore konsiderohet i “vjedhur”.

Nga ana e tij, Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa'ar deklaroi se nuk janë paraqitur prova që mbështesin pretendimet e Ukrainës dhe se çështja do të trajtohet sipas ligjit. Sipas tij, marrëdhëniet diplomatike nuk mund të bazohen në deklarata publike apo rrjete sociale dhe çdo çështje do të hetohet nga autoritetet përkatëse.

Bashkimi Europian ka deklaruar se ka kontaktuar autoritetet izraelite për rastin. Zëdhënësi i Komisionit Europian, Anouar El Anouni theksoi se BE dënon çdo veprim që mund të ndihmojë financimin e luftës së Rusisë ose shmangien e sanksioneve ndërkombëtare. Brukseli ka paralajmëruar gjithashtu se mund të ndërmarrë masa shtesë ndaj individëve apo kompanive të përfshira në këto zinxhirë tregtarë.

Sipas Kievit, eksportet e grurit nga territoret e pushtuara janë kthyer në një burim të rëndësishëm financimi për Moskën. “Beteja e grurit” ka shtuar tensionet në një situatë që aktualisht është mjaftueshëm e ndërlikuar rreth luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)